Message:

Security Code:

Name:

“Nji mbret pa mbretni “, së shpejti në “Skampa” – Writer
“Nji mbret pa mbretni “, së shpejti në “Skampa”

Në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, në fund të marsit do të jepet premiera e shfaqjes “Nji mbret pa mbretni”, me autor Primo Shllakun dhe regjisor Stefan Çapaliku

Drama është shkruar më 1991 fill pas rënies së komunizmit dhe fillimit të proceseve demokratike. Virtualisht ajo zhvillohet në një mbretni të kohës së sotme që u përngjet mbretërive të të gjitha kohëve.

Oborri i një mbreti ka vendosur të festojë 25-vjetorin e mbretërimit të një mbreti anonim. Gjithçka është përgatitur që mbreti të gëzojë rezultatet e mbretërimit të tij dhe të fillojë çerekshekullin e dytë të mbretërimit të tij. Në një atmosfere entuziaste atij i dhurohet një fron ashensor me katër kate ose pozicione, prej ku mbreteria do ta ketë më të lehtë komunikimin me subjektet që përbejnë shtetin e vet.

Në pjesën e dytë mbreti ka shqetësime të thella dhe shpreh ankthin për qetësinë që po mbretëron në mbretërinë e tij. Mbretëresha e qorton duke i thënë se ajo qetësi ka pasë koston e vet dhe se ai vetë e ka dëshiruar më së forti.

Dëgjohet një zhurmë dhe qetësia prishet. Një turmë e madhe, kund sa vetë krejt popullsia e mbretërisë është nisur e bashkuar drejt pallatit mbretëror. Mbreti e mbretëresha kalojnë çaste dramatike. Ata përgatiten të vrasin veten ose edhe të reziztojnë me armë nëse kjo që po ndodhte ishte një kryengritje. Por jo. Turma bën kthesën tek sheshi i madh i kryeqytetit dhe niset drejt kufirit për ta kapërcyer atë. Pra popullsia e mbretërisë largohet dhe mbreti mbetet fillikat pa asnjë nënshtetas. Këtu fillon shthurja e oborrit mbretëror. Një nga një ikën i gjithë stafi personal i mbretit me pretendimet nga më qesharaket. Mbreti dhe mbretëresha mbeten krejt vetëm me eunukun e tyre, shërbëtorin shurdh-memec që nuk u ndahet për asnjë minute.

Konceptimi dramatik ka synuar t’i heqë këtij mbreti çdo qasje heroike, pra që ky mbret diktator të mos prekë asnjë tast virtyti e trimërie por të vdesë në mjerimin që ka gatuar për të tjerët. Ikja e popullsisë e ka shkallmuar, atë ai nuk e priste, por as edhe mund ta ndalonte.

Kjo dramë komike synon të zbulojë sesa të dobët dhe fatkëqij janë diktatorët, pamja e të cilëve rrezaton madhështi e force. Syri dramatik ka depërtuar tek përditshmëria e një diktatori dhe ka gjetur aty nji shpartallisje të pashoqe. Diktatorët i mundon vetmia dhe absurdi i dëshirave të tyre që alternohen me shpejtësi pa i lënë radhë njëra tjetrës që të zëvendësohen. Edhe pse ata nuk pendohen, katarsisi i tyre ndodh tek spektatori që zbulon tmerrin e një jete në majë të një pushteti diktatorial.

Koncepti regjisorial i produksionit dhe nevojat e tij kanë bërë që teksti dhe disa rrethana të dramës të ndryshohen në funksion të këtij koncepti.

Shfaqja do ti takojë estetikës së një teatri total, që ka thirrur në ndihm të gjitha mjetet e të gjitha mediumet për t’i përdorë në shërbim të një grotesku organic e shpesh edhe të pamëshirshëm.

Aktorët sipas roleve janë:

Mbreti: Alfred Bualoti

Mbretnesha: Dasara Xhangolli

Maxhordomi & dhe allxhesha Bike: Ilirda Bejleri

Ministri: Hysen Mullajonuzi

Berberi: Mario Elezi

Kuzhinierja: Antoneta Doka

Eunuku: Enea Çuko

Piktorja: Angjela Mitrovica.

Skenograf: Sadik Spahija

Koreograf: Artan Ibershimi

Koncertmaester: Edmond Rrapi

Producent ekzekutiv: Kliti Kapaj. /Telegrafi/

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *