Message:

Security Code:

Name:

Teatri si interes publik apo si interesim i publikut? – Writer
Teatri si interes publik apo si interesim i publikut?

Gjithmonë kam reflektuar mbi faktin se çka e dallon konceptin e interesit publik me atë të interesimit të publikut. Dhe gjithmonë përgjigja e kësaj pyetjeje më vinte nga teatri. Shikoja salla të mbushura prej komedish burleske e të rëndomta prej kiçit, si dhe drejtorë që krekoseshin nëpër media për këtë fakt, duke ngatërruar kësisoj, sa nga injoranca e sa nga dashakeqësia, se ajo çfarë përbënte interesimin e publikut na qenka edhe interesi i tij. Ndërkaq, vepra madhore e të rëndësishme, por me pak spektatorë nëpër këmbë, e që me të vërtetë mund të përbënin interesin publik, braktiseshin dhe hidheshin në kosh si të pavlera.

Ky keqkuptim i madh, që e shmang teatrin prej misionit të vet edukues, vazhdon dhe reflektohet edhe ndër këto ditë të nxehta debatesh nëpër vizita ministrore apo edhe ndër panele mediash të njohura. Është për të ardhur keq se si politika në vend që të gëzohet dhe ta “shesë” si sukses të vetin faktin se komuniteti teatror dhe opinioni qytetar po bëhet bashkë dhe po reagon rreth një fakti dhe fati kulturor, zemërohet dhe e keqpërdor. Por, është për të ardhur edhe më keq të mos kuptosh se edhe në rastin kur bisedohet për godinën e vjetër a projektin e ri, palët nuk merren vesh thjesht dhe vetëm për faktin se kanë humbur besimin te njëri tjetri.

Rikuperimi i këtij besimi është edhe sfida më e madhe e politikës shqiptare. Por pse e për çfarë i duhet politikës teatri? Pse politika (dhe këtu kam parasysh të gjithë ministrat dhe ministritë e Kulturës të Shqipërisë) paska nevojë për teatrin? Jam i bindur se askush nuk ka një përgjigje për këtë. Si ka mundësi që politika të heqë dorë nga administrimi i sistemit publik universitar (ku lidershipin e zgjedh vetë sistemi dhe vetë sistemi menaxhon asetet e veta) dhe të këtë nevojë të ushtrojë pushtet mbi teatrin?! Kaq e vështirë qenka për njerëzit e komunitetit teatror të kuptojnë se vetëm pavarësia nga politika do ta shpëtojë teatrin?

Se vetëm kjo pavarësi do t’i shpëtojë ata që të mos kenë nevojë të shkojnë te zyrat e ministrave të kulturës? Të mos kuptosh këtë do të thotë të vuash nga një mazokizëm kolektiv. Në këto kushte dhe rrethana, ministres së Kulturës mund t’i kërkohet vetë që të bëje ligjin për krijimin e Qendrës Kombëtare të Teatrit, në modelin e Qendrës Kombëtare të Kinemasë, të ndajë, ta arsyetojë si dhe të bëjë publik fondin kombëtar të teatrit, ta delegojë dhe t’ia japë për administrim përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit teatror.

Në këtë ligj duhet të përfshihet edhe procedura e zgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar, përndryshe në krye të këtij institucioni do kemi gjithmonë ose militantë, ose ekstremistë. Dhe kjo, fatkeqësisht do ndodhë sepse ndërkohë që qytetërimi është normalitet në mendjet e pushtetarëve të sotëm, qytetërimi është mediokritet. Po kështu, ministria duhet ta implementojë këtë model demokratik të vendimmarrjes edhe duke krijuar Qendrën Kombëtare të Librit, Arteve Pamore e Muzikës. Të kërkosh të tjera vendime nga politika, që vetëm centralizojnë dhe grumbullojnë kompetenca, do të thotë të jetosh ende epokën e komunizmit.

Ne, gjithashtu duhet të dimë se Ministria aktuale e Kulturës ka dhënë shenja të mjaftueshme se duke mbyllur institucionin e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, duke e kthyer këtë institucion politik në një fondacion, duke thërrmuar buxhetin ndër dromca qesharake, duke mbyllur festivale të rëndësishme si ai i Butrintit, duke e përjashtuar vendin nga organizma dinjitoze ndërkombëtare, ka sjellë humbjen e standardeve të fituara dhe izolimin e teatrit shqiptar.

Si anëtar i komunitetit teatror shqiptar, i bëj edhe njëherë thirrje përfaqësuesve dhe anëtarëve të tij që të luftojnë për parime dhe të mos e ulin nivelin e diskursit ndër mediokritete sepse në ato nivele politika ka grumbulluar shumë eksperiencë dhe del gjithmonë fitimtare.

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *