Message:

Security Code:

Name:

Çmendu për të mbetur gjallë e njeri! – Writer
Çmendu për të mbetur gjallë e njeri!

Agron Shala

Cila është renditja që tregon se kush është më i madhi: “Krishti, Lenini e Rrok Preluca” apo “Lenini, Rrok Preluca e Krishti”? Një analizë ndryshe e veprës së fundit të Stefan Çapalikut, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”!

“Gjyshi William vendosi që të përballet i vetëm me gjermanët, që përmes hipnozës dhe fuqisë së mendjes së tij të ndalojë tanket e tyre. Me duart e drejtuara dhe sytë e fiksuar kah gjermanët, u përpoq t’i detyronte të ktheheshin. Në fakt, tanku i parë u ndal, e pastaj e tërë ushtria. Por, një tank u nis sërish dhe gjyshi nuk u shmang. Kështu, e shkeli e ia këputi kokën. Në këtë mënyrë, asgjë më s’mund t’i dilte në rrugë Rajhut të Tretë”.

Këto fjalë i thotë personazhi Milosh Hërma i filmit çekosllovak “Ostre sledovane vlaky” (Trenat që përcillen me kujdes!), që më 1968 fitoi Oscarin si filmi më i mirë i huaj. Ky ishte një nga filmat më tipik të Valës së Re Çekosllovake, të viteve ’60 të shekullit të kaluar – lëvizje kinematografike që ndryshe njihej edhe si Mrekullia Filmike Çekosllovake. Veprat e kësaj Vale më shumë i ka bërë të njohura humori i errët dhe absurd por, aty nuk mungonte as humanizmi. Madje, edhe për momentet e pushtimit gjerman – siç kishte ndodhur me “Trenat…”!

Humor të tillë unik, me imazhe që ngjajnë me neorealizmin italian – jo veç përmes kopertinës së librit me biçikletën gjermane “Diamant”, të prodhuar nga “Elite-Diamantwerk” gjatë Luftës së Dytë Botërore – shpërfaq vepra e fundit e profesorit të Universitetit të Arteve në Tiranë, Stefan Çapalikut: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Kjo vepër (një si “roman” autobiografik), përbëhet nga tregime të shkurta – përjetime të fëmijërisë së autorit.

Ngjarjet zhvillohen në Shkodër, në një lagje katolike të qytetit. Autori që ka jetuar në një qytet edhe me shqiptarë myslimanë, e që nënën e ka shqiptare ortodokse (të dy këto fe “lindore”); një i ri që ka lindur nga martesa e “përzier” Veri-Jug – ku Jugu përçmohej nga shkodranët me barsoleta, e veriorët fyheshin nga jugorët “si reaksionarë e jo fort të pastër për nga mënyra e jetesës” – megjithatë është rritur në një mentalitet patriarkal të “fesë perëndimore” që thjesht s’e ka pranuar komunizmin. Por, këtë sistem politik – pra, komunizmin e huaj për të dhe për familjarët e tij – ai nuk e sheh bardhezi si shumë të tjerë në ditët e sotme. Në tregimet e tij ka dhembje, por ka edhe ngjyra, ka humanizëm e humor. Sepse, edhe në momentet e rënda nuk mungojnë individët njerëzorë.

JETO PA U VËNË RE!

Poeti amerikan, Charles Bukowski, ka thënë: “Disa njerëz nuk çmenden kurrë. Çfarë jete të tmerrshme duhet të kenë”!? Çmenduria te Çapaliku është formë shpëtimi, si ogur e si ikje nga realiteti që atë e preokupon, veçmas në rininë kur duhet të bëhet gati për obligime e detyra.

“Çmendurinë” ai e “has” tek daja i tij, Gjoni, të cilit papritmas i kthehet “shikimi”. Kjo ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitin 1985. Gjoni e sheh veten te Kisha e Madhe e Shkodrës, kur mesha mbaron e ky niset për në shtëpi. Në besimet pagane shqiptare – që mbijetojnë edhe sot – para ikjes nga kjo botë njerëzit “flasin me të vdekurit”. Por, Gjoni kështu e “shihte” lirinë e tij dhe mbase edhe “profecinë” e Pjetër Meshkallës (1901-1988) i cili, më 1967, në “gjyqin popullor” ju tha troç atyre që prishnin kishat e xhamitë: “Turp”!

“Kur linda kisha vetëm nji emën; ky ishte emni Shqiptar, sepse linda prej prindve shqiptarë e mandej u pagzova e më vuen emnin Pjetër e më quejtën katolik… Pra, emni i parë që kam marrë në këtë tokë dhe e kam mbajtë me nder, ka qenë emni Shqiptar”, tha Meshkalla – shoku i klasës së Tefës, gjyshit të Çapalikut – i cili paralajmëroi pushtetarët që e akuzonin si tradhtar e si agjent të Vatikanit: “Njerzit janë të lidhun me bukën e gojës dhe kjo rini servile që po rritni asht ajo që s’do të durojë ma, që do t’ju shporr qafe e një ditë ka për t’jua hangër kryet”!

“Çmendurinë” autori e sheh atëherë kur ai bëhet i “madh” të dijë; kur rritet dhe babai ia thotë sekretet e ia tregon napolonat e pakta të arit – të fshehura qëmoti, për ditët më të zeza; kur bëhet me orë e nis të ndjekë oraret (pa çka që për të koha në rini ishte “si ajo vija e drejtë e EKG-së së zemrës”)! Atëherë koloriti fëmijëror bëhet bardhezi; atëherë ai duhej të bëhej gati të jetonte sipas maksimës që kishte dëgjuar nga miku i babait të tij – intelektuali Zef Zorba: “Jeto pa u vënë re”! Si Milosh Hërma dhe familja e tij që e donin një jetë pa mundime: një punë pa pushtet e për kohë të shkurtë, me pjesën më të madhe të jetës të “lëçitur” – ama me pension!

Nëse humori dikur ishte si mekanizëm mbrojtës i një gjenerate, brezi i ri duhej të gjente formën tjetër në sistemin që i vinte fundi e ku shoqëria ishte si personazhet e Milosh Formanit te “Fluturimi mbi folenë e qyqes” (sipas veprës së Ken Keyset): normal në shoqëri të çmendur (viktima Randle McMurphy), i heshtur “pa u vënë re” që thyen xhamat që ndajnë çmendurinë me lirinë (“kryeplaku” Bromden) dhe i çmendur që ia ka frikën lirisë (shumica e tjetërsuar)!

Ata që më 1967 mbanin parullat “Klerikë, dorëzoni rinisë çelësat e Kishës”; ata që e anatemuan Meshkallën dhe e bënë të vuajë për të dytën herë burgun; ajo, “rinia sevile”, nisi t’ia hajë kryet komunizmit përmes hajnisë dhe kontrabandës…! Në rrethana të tilla, me familjarë të burgosur e miq të anatemuar, frika dhe heshtja ishte mbrojtja më e mirë e Çapalikut! Apo ndoshta të “çmendej” – sipas mënyrës së tij!?

“REPUBLIKA E GJUHADOLIT”

Shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku, veprën e tij e ka ndarë në tri pjesë, secila me nga 21 tregime: “Para”, “Gjatë” dhe “Mbas”! Të 63 tregimet kapin periudhën 1967-1985: kohën nga kur Shqipëria bëhet ateiste, e deri te vdekja e liderit komunist shqiptar, Enver Hoxhës. Tregimet që lexohen me një frymë, janë një “përmbledhje” e emrave të një grupi intelektualësh që sot nuk jetojnë! Kështu, përjetimet autobiografike të autorit bëhen pasqyrë e kulturës shkodrane dhe e shpirtit të lagjes së “Gjuhadolit”, ku autori kishte kaluar fëmijërinë e tij. Frederik Rreshpja, Kel Naraçi, Pjetër Gjini, Pjetër Meshkalla, Kolë Ashta, Tef Palushi, Gjon Shllaku, Gjenarin Gajtazi, Rozar Dodmasej, Filip Daija, Zef Zorba, Pjetër Gaci, Nuh Sahatçia… janë disa nga emrat që nuk u lejuan ta shënojnë një kohë, por që – siç ka thënë Soren Kierkegaardi për njeriun-njeri: ata guxuan të jenë vetvetja! Pastaj, unikë në karakteret e tyre ishin edhe shkodranët me llagape – “pa mbiemra”: Ton Qerosi, Ndoc Cica, Cen Pinuci, Kolë Murrlani, Mark Mizanveshi, Ndrek Hunda, Ded Matura, Gjin Buria, Nush Balona, Gac Dembeli… Që të gjithë këta ishin të “çmendur” në mënyrën e tyre! Në kohën e ateizmit, këta ishin ikonat e gjalla të Shkodrës, që u rezistuan modeleve dhe uniformave të komunizmit dhe Revolucionit Kulturor Kinez.

“Korçari dhe shkodrani në Tiranë kurrë nuk do të bëhen tiranas”, ka thënë Çapaliku gjatë promovimit të veprës së tij në Korçë, teksa Korçën dhe Shkodrën i shenjon si dy qendra të kulturës shqiptare.

A nuk janë shembull për këtë Pjetër Gaci (1931-1995) – autori i këngës së famshme “Ky marak” – dhe burri i një prej femrave më të bukura shkodrane së cilës Gaci ia kishte kushtuar vargjet: “Kur kalon rrugës me naze/ si lule zambak/ ndalu pak e hidhma synin/ se kam zanë marak”! Kompozitori i njohur nuk donte ta publikonte këtë këngë pa e marrë lejen nga burri – i muzës që veç e shihte në rrugë – me të cilin nuk kishte ndenjur kurrë! Duke tërhequr paralele me çmendurinë e sotme kolektive (jo “simbas mënyrës së vet”), si do të kishte reaguar “burri”? Me sharje e dhunë, ndaj artistit e gruas? Sidomos ndaj gruas, meqë kjo është mënyra më e lehtë?!

“Unë po ndjehem i nderuem, mor zotni Pjetër, për këto fjalë e këtë muzikë të bukur që ia paske kushtue sime shoqe”, ishte përgjigja e zotërisë shkodran. “Të falemnderës”! Të dy këta përshëndeten, si burra të vërtetë.

“Maraku” i Gacit ta kujton “Elegjinë e Marienbadit” të Gëtes. “Raporti” i Gëtes me muzën e tij është si rrëfimi i Çapalikut për xhentëlmenin që e shikon “dashurinë si një vlerë të lartë njerëzore dhe aspak të përlyer prej banaliteteve të përditshme”. Siç janë edhe kujtimet dhe dashuria e tij për Shkodrën e “Gjuhadolin”!

HUMORI SI SHPËTIM…

Përmes leximit të veprës “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, sheh shoqërinë e “rrëfimeve të moçme shqiptare” – njerëzit me shumë shpirt, madje edhe në kohët e pashpirta! Aty njerëzit kënaqen me pak gjëra, ndërkaq është humanizmi, kujdesi për njëri-tjetrin dhe dituria që i mbron nga varfëria e dikurshme materiale dhe nga çmenduria kolektive që karakterizon sot shoqëritë shqiptare – kudo në Ballkan.

“Njerëzit shkonin t’i bënin vizita njëri-tjetrit nëpër shtëpi me lehtësinë më të madhe dhe pa i lajmëruar. Ata thjesht vinin dhe uleshin”, thotë Çapaliku në një nga tregimet e tij. “Pothuajse çdo darkë na vinin për vizitë. Qëkur im Atë ishte larguar për atë specializimin në Rumani, vizitat qenë shtuar. Me sa duket kishte njëfarë solidariteti për të ardhë e për të pyetur nëse na mungon diçka apo nëse kishim nevojë për diçka”, vazhdon ai në një tregim tjetër, ku si në çdo rrëfim shpërfaq humorin e hollë – një pasqyrim ndryshe i intelektit dhe kulturës së qytetit të tij.

Shumica e shqiptarëve kanë dëgjuar për një karakteristikë “qesharake” të shkodranëve. Mund të mos i njohin barsoletat e tyre, por ai që ka lexuar diçka përtej lajmeve të ditës ka mundur ta ketë dëgjuar sintagmën “humor shkodran” që buron nga qyteti më i shëmtuar i “ndërtuar në vendin më të bukur të botës”; nga qyteti i paradoksit kulturor – ku në “Perëndimin e tij e banon popullsia myslimane, e pjesa Lindore banohet prej katolikëve”, por ku pjesëtarët e këtyre dy feve “jetojnë në paqe, më shumë me njëri-tjetrin, sesa me veten e vet”.

Për autorin e kësaj vepre, humori ishte bishtnim ndaj realitetit, ndaj varfërisë dhe presionit. Dëshmi për këtë është ai që vuan burgun “për qejf”; ai që dehet më shumë kur pi më pak; ai që tha se më i madhi është “Krishti, Lenini e Rrok Preluca” e u detyrua të thoshte pastaj “Lenini, Rrok Preluca e Krishti”; ai që tregoi pse në ndërtimtari nuk bën të punojnë portierët e futbollit; ai që bëri “akt borgjez” duke kapur veshin me letër e që u hakmor përmes teatrit; ai që ia vinte rrymën trungut që fqinjët të mos ia vidhnin fiqtë; ai që në kafe porosiste “dy viza të shkurtra dhe një vizë të gjatë”; ai që e hante veten pa i dhënë bash kujt llogari…!

TELEFONI, TELEVIZORI DHE JAKU ME “BURIMET E SIGURTA”!

Humori është mekanizëm mbrojtës edhe i Çapalikut. Realiteti i Shkodrës gjatë fëmijërisë së tij karakterizohej edhe nga tradhtitë bashkëshortore, nga ikjet nga shteti, internimet, nga vrasjet e vetëvrasjet, kufomat në rrugë si formë “vetëdijesimi”… Por, si shkodran tipik, ikën nga realiteti i hidhur i dikurshëm dhe i sotëm. Kështu, rrëfimet e fëmijërisë së tij, pa teknologjinë e sotme digjitale, janë plot magji. Kjo haset në çdo tregim: tek kallaballëku në shtëpi; dhoma familjare me dy dyer; ikjet nga dritarja; poeti i madh që qëndiste në gjergjef; Marilda e bukur; mjeshtri që kishte një refren për çatinë që pikonte se “duhen ndërrue të gjitha pullazinat”; “lufta për merita” për tespixhe; xhirot e darkës; “Kafja e Madhe”; veshja si “hukubet”; televizori i ndalur në ditë zie; zotëria që u mbyll në shtëpi deri në vdekje meqë nuk donte të vishte pantallona me stofin e Kombinatit “Stalin” të Tiranës; Kompozitori që e bënte orkestrën filarmonike të qytetit të luante pjesët më të vështira, duke thënë se është më mirë t’i biesh keq Betovenit sesa të luash mirë Filan Fistekun; “dezertimi” i Nikolinit nga Ushtria – për Marildën…

Këto personazhe unike pothuajse askush nuk i takon sot, e madje pakkush pa imagjinatë mund t’i kuptojë. Rrëfimi për ta nis nga i pari kujtim: nga daja doktor – në burg! Këtu lind dëshira për lajme, për çka Çapaliku pranon se pëlqente të fliste me telefon, nga numri 823 në qytetin me 90 mijë banorë, meqë besonte se andej do t’i “vinte lajmi”!

“Se çfarë lajmi nuk e dija, por kjo s’kishte shumë rëndësi. Unë prisja një lajm të çuditshëm që do të na e rregullonte jetën të gjithëve. Ky zakon më ka mbetur edhe tashti”, shkruan ai.

Lajm priste edhe Jaku (djali i hallës së Lazrit, babait të Çapalikut), i cili disi kishte një informatë “top-sekret” se shpejt i vjen fundi komunizmit, pasi Enverin e kishte kap një diabeti “që i kishte dëmtuar një varg organesh”. Ai ishte i bindur se Enver Hoxha kishte vdekur dhe se trupi i tij gjendej në morg. Kjo bindje nuk i thyhet as më 1 Maj 1974 kur paguan me fërnet “bastin e humbur”, pasi e sheh në televizor. “Mund të jetë sozia e tij. Më ka thanë një njeri i sigurt se Enver Hoxha ka pesë sozi”, ishte reagimi i tij në kohën kur të besosh do të thoshte të ekzistosh!

NJERIU I RI DHE QYTETI PA DOMETHËNIE

Në qytetin me 90 mijë banorë, në vitin 1967 Lazër Çapaliku sjell nga Rumania televizorin e pestë në Shkodër. Një televizor “Venus”, prodhim rumun. Për ta ndezur (nga frika se mos digjet), kishin ardhur “ekspertë” nga Tirana. Ata treguan edhe se si duhet të kthehet antena kah Italia (RAI UNO) dhe kah Jugosllavia (TV Titogradi – siç quhej Podgorica gjatë komunizmit). Kështu, shtëpia e Çapalikëve shndërrohet në “kishë” e “xhami”, në “religjionin” e ri që bashkonte shkodranët. Ky televizor shtyu ata të hapnin kurs të italishtes; programet italiane nisën t’u konkurrojnë kinemave të qytetit; nga aty mësoheshin rrjedhat kulturore të botës…

Televizori i kishte shtuar miqësitë, por gjërat ndryshuan nga viti 1972, kur me pjesët që merreshin nga Nishi i Jugosllavisë, në Durrës u prodhua televizori “Rozafa”, e me pjesët rumune nisi të prodhohej televizori “Adriatik” (për televizorë të tillë duheshin kursyer tetë paga).

“Që prej vitit 1972 kishte nisur njëfarë zbrazjeje e shtëpisë… Kjo kish ndodhë pak ngase kishin filluar të përhapeshin televizorët, e pak ngase njerëzit nuk e kishin më gjithë atë qejf për të ndenjur së bashku. Mjaftonin dy-tre shokë, dhe boll. Nuk kishe pse të rrije, e aq më pak pse të flisje në kallaballëk”, thotë Çapaliku që përjeton vënien e “zhurmuesve” në maje të Taraboshit që bllokonin valët e çdo shteti tjetër – pos valëve të Radiotelevizionit të Tiranës. “Kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi përditë duke parë shëmtinë tonë”!

Nga kjo kohë, kur “lajmësi vritet”, humbin ngjyrat e botës fëmijërore. Nga këtu nis vjedhja e shtetit me moton “Ne bëjmë sikur punojmë, ata bëjnë sikur na paguajnë”. Qytetit i humbeshin shpresat, bukuria dhe pikat e referimit. Heronjtë, ikonat e sipërpërmendura, plakeshin dhe vdisnin. Në “Gjuhadol” tash ndodhnin gjëra pa domethënie!

“Njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë, ishte një përbindësh që hante dhe bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti…”, shkruan Çapaliku.

Meshkalla e përjetoi vdekjen e Enverit. Por, paralajmërimet e tij të vitit 1967, të cilat ia kishte përcjellë kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, fatkeqësisht kanë kuptim edhe sot në epokën digjitale – tranzicionin e pafund darvinist e kanibal: “Pjesa e kërcnueme dhe e frigueme me presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse, e lidhun nga kafshata e bukës, shtrengohet me mohue me gojë atë që beson; kështu, fushata që po bahet synon me formue nji brezni pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste, e asht tue prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut”!

Si të “çmendet” shqiptari sot, në mënyrën e tij, për të mbetur gjallë e njeri? Pushtetet e këqija vuajnë nga “ejakulimi i parakohshëm”, si Milosh Hërba. Dhe, në ato pushtete viktimat janë ato që qeshin më së shumti në fund! Sepse, një gjë dihet sigurt, e këtë e thotë “Secili (që) çmendet simbas mënyrës së vet”: “Rinia servile” që krijohet nga çdo sistem, do t’ia ha kryet atij sistemi dhe njerëzve të tij! /Agron Shala/Telegrafi.com/

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *