Message:

Security Code:

Name:

Secili çmendet sipas mënyrës së vet – Writer
Secili çmendet sipas mënyrës së vet

Gjergj Meta

Është titulli i një romani të sapodalë për lexuesin shqiptar nga enti botues “Gjergj Fishta”. Shumë prej episodeve që përmban romani për mua janë të dëgjuara, pasi autori shpesh i ka rrëfyer nëpër ndenje miqë- sore, por të vendosura në roman hyjnë brenda konteksteve të tyre jetësore, duke krijuar kështu mozaikun e klimës shoqërore që thithej në vitet ‘60, ‘70 dhe ‘80 në Shqipëri.

Ky roman duket si ouverturën e përkujtimit të vitit të mbrapshtë 1967, kur në Shqipëri u mbyll edhe e vetmja dritare, e fundit, që lidhte njeriun shqiptar me diçka përtej vetes së tij, duke shkatërruar objektet e kultit apo duke i kthyer ata në përdorim profan. Janë sugjestionuese në romanin e Stefan Çapalikut notat me të cilat ai përshkruan rrëzimin e Kumbanores së Kishës së Fretënve, afër së cilës ai banonte me familjen e tij. Ngërthimi që autori i bën natës së takimit ndërmjet prindërve të tij, pas gjashtë muajsh që nuk shiheshin me njëri-tjetrin, dhe zhurmës së rrëzimit të kumbanores, të krijojnë dridhje të zemrës, dhe pse jo njëfarë frike.

Ajo zhurmë ishte në fakt një zhurmues, një interferencë ndërmjet Zotit dhe njeriut, por edhe ndërmjet njeriut e njeriut, burrit e gruas. Gjithçka zhbëhej përfundimisht me rrë- zimin e atij raporti vertikal, sikurse vertikale ishte kumbanorja. Rrëzimi i kumbanores ishte një zhurmues që e bënte të vështirë tash e mbrapa takimin e njeriut me krijuesin e tij dhe me të ngjashmin.

E më pas nuk kishte se si të mos vinte zhurmuesi tjetër, ai i antenës së Televizionit që do ta mbyllte njeriun shqiptar jo vetëm nga Zoti, por edhe nga të ngjashmit e tij të përtejdetit e të përtejkufinit. Duket sikur ky roman është një histori me zhurmues, sikurse titulli omonim i emisionit të Pandi Laços të paradokohëve në një TV kombëtar. Në këtë roman çdo njeri, të paktën ata që kanë kaluar të 40-at, mund të gjejnë diçka nga vetja. Shkodranët do të gjejnë diçka nga qyteti i tyre, rrethinat e Shkodrës po ashtu, e sigurisht çdo shqiptar, që ka jetuar sadopak ato vite, do të gjejë nota që i prekin jo vetëm kujtesën, por edhe shpirtin, e nganjëherë trishtueshëm.

Por romani vlen ndoshta më shumë për ata të rinj që nuk e kanë prekur aspak atë kohë e që sot janë 25 apo 26- vjeçar. Ata duhet të shohin se e pamundura mund të ndodhë përsëri dhe pikërisht nëpërmjet leximit të këtij romani mund të njohin sadopak prindërit e tyre. Në tekst, kur nis e lexon, të duket sikur je në një koncert. E ndërmend më vjen Koncerti për violinë e orkestër 35 i Tchajakovskit, i cili ka shërbyer edhe për prodhimin e një filmi shumë të bukur franko-rumun, me titulli “Koncerti”.

Në roman të krijohet ndjesia sikur nga një orkestër me shumë instrumenta shkëputet herë pas here një instrument e del e luan vetëm, ashtu si violina në Koncertin e Tchajakovskit dhe ka muzikën e vet, origjinale, e më pas hyn përsëri në orkestrën e madhe e bëhet njësh me të.

Të lexosh faqet e këtij romani dëfrehesh, pasi autori tregon me humor, ashtu sikurse Shkodra ka prodhuar humor ndër vite, por edhe hyn në reflektime të thella, ndërsa përpara teje personazhet dhe ngjarjet kalojnë si në pelikulën e një filmi bardhezi. Sepse bardhezi ishte koha që përshkruan Çapaliku, duke qenë se ngjyrat ishin të ndaluara në atë kohë.

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *