Message:

Security Code:

Name:

Secili çmendet simbas mënyrës së vet – Writer
Secili çmendet simbas mënyrës së vet

Dramaturgu për herë të parë në një roman të ri, me një libër autobiografik, si dëshmi për trupin, shpirtin dhe mendjen e qytetit të tij, Shkodrën

Në Shqipëri të paktën, ende botuesi nuk është i besueshëm, një institucion që t’i garantojë lexuesit cilësinë e librit për të mos e zhytur në dilema. Ja për shkak të çmimit të lartë që vazhdojnë të kenë librat, ja për bestsellerët e panatyrshëm që ngrihen brenda javës. Përveç në raste të rralla, dhe këto për autor të konfirmuar.

Këtë hyrje e ndoqëm për shkak se dje, me një shpejtësi rrufe nëpër rrjetet sociale është hapur fjala e botuesit të “Gjergj Fishta”, që ushtron aktivitetin në Lezhë, mbi një roman të ri të Stefan Çapalikut. Fjalët tregojnë përmbajtjen, por dhe pritshmërinë që mund të marrë lexuesi nga një libër i mirë, e sidomos i një autori që lidhjet më së shumti i ka me dramaturgjinë dhe teatrin.

Mjaftojnë ata pak rreshta për të marrë ndoshta edhe rrugën për në Shkodër, në ditën kur bëhet promovimi i librit, të shtunën në mjediset e Teatrit “Migjeni”.

Romani ka një titull absurd, ironik: Secili çmendet simbas mënyrës së vet, dhe lidhet me qytetin e autorit, Shkodrën përgjatë një periudhe njëzetvjeçare.

Kopertina është ura tërheqëse për të lënë estetikën e veprës të hapur që nuk krijon ndonjë mëdyshje me lëndën e romanit. Një djalosh i vogël, hipur mbi biçikletë në një rrugicë me kalldrëme të vjetër, me ironinë e kohës ndër buzë…që ka pas shpine një mur të lartë, dhe një portë të madhe, po të vjetër. Ndërsa për romanin në shënimin e tij, botuesi i “Gjergj Fishtës”, Fran Kulli, ndalet: “Dy gozhdët, që mbajnë të tërhequr litarin e ngjarjeve, janë ngulur në vitin 1967, kur Shqipërinë e shpallin shtet ateist dhe në vitin 1985, kur vdes ai që e shpalli. Brenda këtyre dy ngjarjeve të forta, që përcaktojnë edhe segmentin më të ashpër dhe fanatik të komunizmit shqiptar, nxjerr krye një ngjarje tjetër, në dukje e vogël, që është ardhja e televizorit në shtëpinë e vendosur në qendër të romanit. Ardhja e kësaj kutie magjike, tamam në çastin kur Shqipëria po kthehej në një ishull të shkretë e të pashpresë, e ndan romanin në tri pjesë: Para (ardhjes së televizorit), Gjatë (koha kur nëpërmjet televizorit shikohej bota) dhe Mbas (koha që vjen pas vendosjes së zhurmuesit)…”.

Romani nis tregimin kur jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institut i ri besimi, që ishte televizori, media. Ai i vë fre kallëzimit në kohën e realizimit të ëndrrës së diktatorit, vdekjes së tij në shtrat. “Veçanërisht gjatë viteve të shndërrimit të shtëpisë së rrëfimtarit në një kinema, kemi rastin të njihemi nga afër me karakteret, të cilat qyteti bujarisht ia ka dhuruar kujtesës së autorit”. Ky lexohet si një roman autobiografik, si një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së qytetit përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa.

Botuesi thotë: “Letërsia shqipe e derimëtashme na e ka përcjellë komunizmin ose nëpërmjet “heronjve” që i vërdalloseshin Bllokut ose përmes Heronjve që ngujoheshin burgjeve. Ky nuk është as romani i heronjve ndër thonjëza, e as romani i heronjve me H të madhe…”

Çapaliku në këtë përfytyrim të paradokseve mbi jetën e imazhit që vepron në psikën shqiptare, ka një lëndë të hershme me skenën. Ndër të vetmit dramaturgë që i reziston shkrimit, dhe bëhet bashkëkohës për shqetësimet që kalon mbi një karakter personal, në gjuhë ironike, mes absurdit dhe realizmit. /Mapo.al/

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *