Message:

Security Code:

Name:

Si ta shohim shfaqjen e Stefan Çapalikut “Danimarka – Toka jonë” – Writer
Si ta shohim shfaqjen e Stefan Çapalikut “Danimarka – Toka jonë”

Në dramën “Danimarka-Toka jonë”, veprimi, ndodhia, ngjarja nuk tregon kurrë diçka jashtë vetes. Ështëvetë absolutizmi i saj që i lejon botës së dramës të “qëndrojë për” në raportin e saj me gjithë botën, si në raportin e domethënies me njëmendësinë e shënuar…

Gëzim Puka

Teatri “Migjeni” i Shkodrës shfaqi për disa netë më radhë “Danimar ka-Toka jonë” e autorit dhe regjisorit Stefan Çapaliku. Ky spektakël duket se u përcoll më mjaft interes nga spektatori shkodran. Përmes një montazhi ironik postmodern janë pranëvënë një kryevepër e letërsisë botërore, “Hamleti” i Shekspirit, dhe një nga prodhimet me të njohura në sistemin tonë letrar, “Toka jonë” e Kolë Jakovës. Dialogjizmi ironik i këtyre teksteve të njohura, por me diferencë të madhe potenciale është vënë në një konteks tjetër ironik, atë të disa aktorëve të një teatri provincial që gjendet në zgrip ekzistencial.

Narratorja Drejtoreshë e teatrit dhe Mjeshtri – regjisor, ftojnë në skenë disa aktorë që po provojnë skenat e një shfaqjeje soc-realiste, e cila është bërë pjesë qendrore e dramaturgjisë shqiptare. Përtej velarit të ulur riprodhohet një skenë e stereotipizuar e kësaj drame. Disa pode të vjetëruar të ngritur vertikalisht dhe ca rrangullina prozhektorësh përbëjnë hapësirën skenike të kësaj drame. Në këtë hapësirë zhvillohet një dialog aktorësh apo dramatis personae të lodhur, që përziejnë mes tyre replikat e pjesës me replikat e tekstit burimor dhe tekstit autorial.

Mjeshtri regjisor paralajmëron situatën urgjentë për daljen e premierës. Strategjia autoriale e Çapalikut ka preferuar t’u ndërmendë një pjesë origjinale të dramës “Toka jonë”; një Murrash, një Tuç, një Loke, një Lekë, një File, një Vatë dhe një Met, përmes disa personazheve që nuk janë gjë tjetër veçse aktorë – ushtarë, propagandues të një ideologjie në rënie. Në këtë fokus të teatrit në teatër, po luhet një tjetër dramë ajo e vetë aktorëve që ekzistojnë në një kohë, kur kohët po ndryshojnë. Në pushimin e provave zëri i stërnjohur i një spikere radiofonike transmeton se erdhi koha e pluralizmit politik. Kjo thyerje e madhe shkakton plasaritje të pariparueshme tek trupa- kolektiv teatror, e cila është mësuar të mendojë kolektivisht. Erdhi koha e re kur mund të vihet në skenë edhe “Hamleti” i Shekspirit. Provat nuk duhet ndalur, paralajmëron Drejtoresha, por teksti duhet të pasqyrojë nevojat dhe ndryshimet e kohës. Aktorja, Filja, ajo më e reja, papritur ka një vokacion, një ndriçim mendjeje, për t’ju referuar një teksti shekspirian, për të luajtur Ofelinë.

Uni autorial, mbase i fshehur aty diku pas Mjeshtrit-regjisor, duket se tani shpërthen me mllef duke parë se si disa aktorë që gjithë jetën kanë luajtur “role katundarësh”, befas bëhen ëndrrimtarë për role të mëdha.

Tani gjithçka ka filluar. Cila dramë do të luhet në skenë: “Halmeti”, “Toka jonë” apo drama e aktorëve të këtij teatri, të cilët çuditërisht luajnë me emrat e tyre. Kjo është komedia e dramatikës.

“Meqenëse Hamleti është një intelektual me kokën mbi libra si dhe një personazh që u del në ëndër të gjithë aktorëve dhe regjisorëve teatralë, gjendja e tij normale s’është gjë tjetër veçse një pasiguri ekstreme”, – shkruan Harold Bloom (1-Harold, Bloom: Si dhe përse të lexojmë, f. 218).

Është diçka krejt e panatyrshme të refuzosh identifikimin më Hamletin, sidomos nëse ke prirje intelektuale. Por këtë e di veç Mjeshtri, ndërsa aktorët ata lexuesit e nivelit të parë nguten të gjejnë përkimet e fabulës së dy teksteve të mëdha, duke i montuar me njëri-tjetrin, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtojë nga teksti i parë, i cili sipas tyre mund të qëndrojë fare mirë përkrah të dytit. Nga një barrelë me mbishkrimin “Djepi i kulturës”, klishe e nyjëtuar deri në neveri për qytetin e aktorëve, dalin veshjet e reja të shfaqjes montazh.

Kronikat mediatike e paraqitën këtë shfaqje si dramë sociale e një trupe teatrore. Stefan Çapaliku kërkon të paraqesë dramatikisht kushtet ekonomiko-politike nën sundimin e të cilave ka rënë jeta individuale. Ai ka për detyrë të paraqesë faktorët që i kanë rrënjët më tej se një situatë e veçantë apo një fakt i veçantë, të cilat edhe i sundon. Të paraqesësh dramatikisht të gjithë këtë kërkon një punë paraprake: transformimin e kushteve të marra në konsideratë në një aktualizim ndërnjerëzor, domethënë kthimin dhe zgjidhjen e procesit historik në plan estetik, të cilin do të duhej pikërisht ta pasqyrojë. Të transformosh kushtëzimin e jashtëm në aktualizim ndërnjerëzor do të thotë të paraqesësh apo të shpallësh një veprim që aktualizon kushtet e jashtme. Ky montazh origjinal tekstesh dramatike është i destinuar të ndërmjetësojë mes tematikës sociale dhe formës dramatike të paracaktuar, prandaj edhe paraqitet problematik si nga pikëpamja tematike, ashtu edhe ajo formale. A ishte kjo një dramë sociale, një komedi apo tragjikomedi?!

Në dramën “Danimarka-Toka jonë” , veprimi, ndodhia, ngjarja nuk tregon kurrë diçka jashtë vetes. Është vetë absolutizmi i saj që i lejon botës së dramës të “qëndrojë për” në raportin e saj me gjithë botën, si në raportin e domethënies me njëmendësinë e shënuar.

Kjo dramë qëllimisht provokon dhe kontraston në çdo aspekt me kërkesën e formës dramatike. Dramatis personae përfaqësojnë mijëra njerëz që jetojnë në kushte të ngjashme, gjendja e tyre përfaqëson njëfarë uniformiteti të kushtëzuar nga faktorë ekonomikë. Fati i tyre shërben si model, është një mjet paraqitjeje e dëshmie jo vetëm i objektivitetit, i cili e kapërcen veprën, por edhe e një subjekti paraqitës që është mbi të, unin e autorit.

Kjo shfaqje u pa si dramë e teatrit, por në fakt është diçka më shumë, është tragjikomedia e intelektualit idealist, i cili ka mbetur aty në skenën shqiptare, pa aktorë, pa tekst dhe pa asgjë.

Ja pse Stefan Çapaliku na befasoi edhe një herë me dramën e titulluar “Danimarka-Toka jonë”.

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *