Message:

Security Code:

Name:

Mbi Estetika moderne të Stefan Çapalikut – Writer
Mbi Estetika moderne të Stefan Çapalikut

Nuhi Ismajli

Njeriu i letrave, Stefan Çapaliku, para pak kohësh, botoi edhe një vepër tejet të rëndësishme Estetika moderne. Vepra është mbështetur në estetikën filozofike, në teorinë e arteve të ndryshme dhe në esetë e artistëve. Ajo ndriçon problemet e përgjithshme dhe të veçanta të arteve dhe teoritë mbi artet e ndryshme. Lënda e gjerë dhe gjithëpërfshirëse e estetikës, vështruar sipas pikëpamjeve bashkëkohore, në mënyrë metodike është mbarështruar në disa kapituj. Pas një parathënieje, ku tregohet mënyra e krijimit të veprës, dijet që sjell vepra, destinimi i saj, qëndrimi i autorit ndaj dijeve estetike, veprat e interpretuara etj., problemet e ndryshme të estetikës ai i shtjellon nëpërmjet 16 kapitujve. Në kapitullin

Disa çështje themelore Çapaliku, duke u nisur nga dy lloj njohjesh, racionale dhe intuitive, jep një përkufizim të gjerë e të gjithanshëm të estetikës, si disiplinë e dijes, sistem dijesh të varura nga koncepti mbi kulturën, si teori e së bukurës në art, apo si filozofia e artit“, detyrat e estetikës dhe, duke marrë për bazë elementet si: kënaqësia estetike, vlerësimi estetik, vëmendja estetike, përceptimi estetik, gjendjet e veprës artistike etj., edhe arsyeshmërinë e ekzistencës së një teorie të përgjithshme të artit, filozofisë së artit, apo estetikës. Duke qenë vepra edhe si një tekst didaktik i estetikës, S.Çapaliku, në fund të kapitullit të përmendur, sugjeron edhe “një antologji leximesh estetike“ që, siç thotë “i ngjan ftesës për një udhëtim në rrugën e mendimit estetik“. Në kapitullin Konceptet bazë ai shpjegon konceptet themelore për problemet e së bukurës, artin, autorin, lexuesin dhe spektatorin. Tek Estetika nga fillimet jep historinë dhe karakteristikat e mendimit estetik që nga fillimet, lashtësia e gjer tek paraqitja e estetikës bashkëkohore – estetika e shek.XX. Çapaliku tregon këtu për mendimin estetik të kohës antike, të kohës së Mesjetës, të Rilindjes, të iluminizmit dhe estetikën klasike (shek.XVIII-XIX), themeluar me veprat e mëdha të Kantit, Shelingut e Hegelit.

Në kapitullin Një vështrim mbi estetikën bashkëkohore, pasi shpjegon edhe mjaft karakteristika të estetikës së shek.XIX, si estetikën me sfond romantik dhe estetikën pozitiviste, gërshetimet e tyre etj. Në mënyrë përmbledhëse ka shqyrtuar rrymat e estetikës bashkëkohore, ku ka vënë në dukje veçmas dukurinë e gërshetimeve të rrymave estetike dhe dukurinë e variacioneve të trashëgimisë estetike. Në këtë kapitull ai iu jep përgjigje edhe pyetjeve për të ardhmen e estetikës së sotme dhe për kërkimet më të frytshme të saj. Ai, në lidhje më këto çështje, shpreh idenë se “sot po përjetohet rilindja e estetikave përshkruese“, se alternativa që i caktohet estetikës mbetet një zgjedhje mes poetikës dhe estetikës, mes përsiatjes metafizike dhe kërkimit eksperimental, mes estetikës së kulluar dhe asaj sociologjike, psikologjike etj.“ sepse, siç shton më tej autori, “në të njëjtën kohë estetika, si disiplinë filozofike, e humb interesin nëse nuk i drejtohet një ballafaqimi me botën e gjallë të artit, me përvojën historike konkrete, nëse nuk di të gjejë një vërtetim ose një përgënjeshtrim në realitetin artistik që na rrethon„.

Në pjesën më të madhe të librit, në kapitujt VI–XVI, Stefan Çapaliku, veç e veç, ka shkoqitur rrymat e estetikës bashkëkohore, si estetika e idealizmit, ajo formaliste, e ekzistencializmit, estetika marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, shkolla e Frankfurtit, estetika anglo-amerikane, e simbolit, semiologjia si metodë e estetikës dhe e kritikës artistike etj.

Një vend me rëndësi në veprën Estetika moderne zënë figurat e shumta të estetëve dhe analizat e interpretimet e shumta të veprave estetike të tyre, duke e bërë kështu veprën një pasqyrë të rëndësishme të estetëve dhe një panoramë të rëndësishme të veprave dhe të mendimit estetik. Kjo vepër nuk është një teoritizim i thatë. Mendimi estetik në veprën e Çapalikut shoqërohet gjithnjë nga shembujt konkretë. Në këtë rast, shpesh, autori inkuadron shembujt nga letërsia shqiptare duke sjellë kështu, këndvështrime, interpretime e pikëpamje të reja dhe tejet me vlerë për veprat e caktuara të letërsisë sonë. Ai afron edhe një pasqyrë të literaturës së nevojshme e të rëndësishme të estetikës. Në fund të veprës jep edhe bibliografinë e veprave të estetikës në gjuhën shqipe, treguesin e emrave dhe një fjalorth termash ku shpjegon domethënien e termave me rëndësi, duke e bërë veprën edhe më të vlershme për fushën e caktuar dhe lexuesin e saj. Estetika moderne është vepër e pikëpamjeve moderne për estetikën. Në të, të vështruara nga pikëpamje moderne, në mënyrë tejet koncize, është dhënë sinteza e dijeve të gjera e të thella për estetikën. Së këndejmi kjo vepër është jo veç një tekst i vlershëm didaktik e që plotëson mungesën e dukshme të shkrimeve estetike në shqip, po edhe një tekst shkencor me vlerë, i cili sjell dije tejet të gjera e të thella teorike për estetikën në përgjithësi, estetët, veprat dhe idetë e tyre.

Add Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *